Dhimbjet e mesit: pse shfaqen dhe si t'i menaxhoni!
Updated: Oct 15

Dhimbja e shpinës është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit kërkojnë fizioterapi. Shumica e rasteve nuk vijnë nga një dëmtim i rëndë. Vijnë nga ngarkesa e përditshme: ulja e gjatë, lëvizja e pakët, ngritja e gabuar e peshave dhe stresi.
Shkaqet më të shpeshta
Qëndrimi i gjatë ulur pa pushime
Muskuj të dobët të barkut dhe të mesit
Ngurtësi në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës
Ngritja e peshave me shpinë të përkulur
Gjumi në një pozicion të keq ose dyshek i papërshtatshëm
Kur duhet të shqetësoheni Drejtohuni menjëherë te mjeku nëse dhimbja shoqërohet me mpirje ose dobësi në këmbë, me probleme me urinimin, me temperaturë, ose nëse ka ndodhur pas një rrëzimi apo aksidenti.
Si ndihmon fizioterapia Trajtimi fillon me vlerësimin e lëvizjes, të qëndrimit dhe të forcës. Pastaj kombinohen terapia manuale për lehtësimin e dhimbjes, ushtrimet për forcimin e muskujve mbështetës dhe këshillat për ndryshimet e vogla në jetën e përditshme.
Çfarë mund të bëni që sot
Çohuni dhe lëvizni çdo 30 deri në 45 minuta
Ecni të paktën 20 minuta në ditë
Mos qëndroni plotësisht në shtrat. Lëvizja e lehtë shpesh shpejton shërimin
Kur ngrini diçka, përkulni gjunjët dhe mbajeni peshën afër trupit
Ushtrime të thjeshta
Përkulja e legenit: shtrihuni në shpinë me gjunjët të përkulur. Shtypni lehtë mesin drejt dyshemesë, mbajeni 5 sekonda dhe lëshojeni. Përsëriteni 10 herë.
Gjunjët drejt kraharorit: në të njëjtin pozicion, tërhiqni një gju drejt kraharorit dhe mbajeni 20 sekonda. Bëjeni 3 herë për çdo këmbë.
Macja: mbështetuni mbi duar dhe gjunjë. Rrumbullakosni shpinën ngadalë lart, pastaj ulni barkun poshtë. Përsëriteni 10 herë.

Ndaloni nëse dhimbja shtohet. Nëse nuk ka përmirësim brenda 2 deri në 3 javësh, rezervoni një vlerësim.



Comments